Deputeti i qarkut të Kukësit, Asllan Dogjani, e akuzoi dje kreun socialist se po e kthen PS si në kohën e Partisë së Punës dhe Enver Hoxhës. Sipas tij, kandidaturat që janë propozuar deri tani janë vendime të tij personale, ndërsa në fund, Kryesia do të miratojë formalisht listën e deputetëve.
Për deputetin e Kukësit, në PS nuk po funksionojnë më forumet, ndërsa partia bazohet mbi bazën e mesazheve dhe drejtohet me SMS.
Ju, bashkë me një grup socialistësh të qarkut të Kukësit, i keni kërkuar Kryesisë dhe kreut socialist Rama zgjedhjen e kreut socialist të rrethit dhe jo emërimin e tij, por ende s’ka asnjë reagim dhe përgjigje. Si e vlerësoni këtë qëndrim?
Problemet në PS-në e Kukësit janë të hershme dhe është kryetari Rama që e ka bllokuar zgjedhjen e kreut të rrethit Kukës. Procesi i zgjedhjeve duhet të kishte mbaruar që në vitin 2010. Organizatat kishin propozuar kandidaturat dhe ato u anuluan nga Kryesia sepse kryetari ynë nuk u beson strukturave të Partisë, por merret me mesazhe. Pra, disa individë, sipas interesave të caktuara, kanë arritur të ndikojnë te kryetari. Ai ndikohet shumë nga SMS-të, ka marrë SMS edhe nga PD-ja. Asnjëherë nuk u morën në konsideratë kandidaturat që vinin si propozime të bazës, por vazhdimisht ka pasur ndikim nga mesazhet. Unë kam arritur në konkluzionin që kjo gjë ka qenë e qëllimshme nga ana e kryetarit që kur të vinte çështja e listave, të artikulohej versioni “partia e Kukësit kërkon ndryshime”. Por situata në PS e Kukësit është krejt ndryshe nga ajo që pretendohet nga kreu socialist. PS e Kukësit është ringritur dhe gjallëruar, brenda një viti janë anëtarësuar 600 anëtarë të rinj. Por, kur janë bërë zgjedhje në organizata, nuk u lanë të votonin anëtarët e rinj me pretendimin se ata janë njerëzit e Asllanit.
Ju po thoni se ka pasur një projekt të hershëm për pastrimin e listës së kandidatëve për deputetë në Kukës?
Unë mendoj se ka pasur synime të hershme për mënjanimin tim nga lista e deputetëve. Më pas zoti Rama u mor me kryetarin e PS-së të rrethit Kukës pikërisht përmes SMS-ve. Unë kam bërë debate me zotin Rama sepse më ka kërkuar që të mos propozohej kryetari i PS të rrethit dhe pse ai kishte punuar dhe kishte sjellë rezultat. Dhe iu vu pas për ta hequr këtë kryetar. Sipas meje, kryetari i partisë kishte punuar shumë mirë dhe në fund ai, pas presioneve të bëra nga zoti Rama, u detyrua të japë dorëheqje. Më pas, në një listë prej 20 personash, të gjithëve u premtonte se ai do të ishte kryetari i ardhshëm, ndërsa në fund caktoi një kryetar të cilin e ka kundërshtuar e gjithë baza socialiste, pasi në tetë vite qeverisje ai ka dekurajuar njerëz që të punojnë dhe shërbejnë në PS për shkak të keqqeverisjes lokale. Ky ka qenë tetë vjet në krye të PS-së Kukës. Ne jemi në demokraci dhe kërkojmë vetëm zbatimin e parimeve të demokracisë, të merret opinioni i njerëzve që e ndjekin pas këtë parti, janë njerëz që për tetë vjet në opozitë, me bukë dhe pa bukë, kanë mbështetur PS në të gjitha veprimet e saj opozitare. Kanë sakrifikuar në greva dhe demonstrata. Firmëtarët e peticioneve që i janë dërguar zotit Rama dhe Kryesisë kanë qenë dhe pjesë e grevës së urisë? Sigurisht, njerëzit që kanë firmosur kanë qenë dhe pjesë e grevës së urisë dhe unë i falënderoj ata personalisht sepse janë djem të shkëlqyer dhe kanë dhënë një kontribut shumë të madh. Në grevën e urisë ne sakrifikuam shëndetin dhe gjithçka. Një nga djemtë grevistë, Kujdesim Pasha, pati komplikacione me shëndetin nga kjo grevë. Edhe unë personalisht përfundova në spital.
Cili ka qenë komunikimi dhe mesazhi i dhënë nga zoti Rama në grevën e urisë për ju?
Gjatë grevës së urisë na ka vlerësuar maksimalisht, zoti Rama na ka thënë: “Ju jeni heronj, dhe nëse është Edi Rama, do të jeni edhe ju”. Por nuk është se ne të gjithë kërkojmë privilegje, ne besuam te një kauzë dhe e ndoqëm me besnikëri atë. Ne kërkojmë vetëm të zbatohet Statuti që është pranuar dhe votuar nga gjithë delegatët e kongresit. Nuk ka rëndësi të shkruajmë statute si ato të partive moderne europiane, por e rëndësishme, atë që kërkojmë dhe nga qeveria sot, është zbatimi i ligjeve dhe rregullave të partisë që të gjithë bashkë pranojmë. Nëse kjo nuk funksionon kështu, atëherë pse kjo quhet familje e rregulluar me norma dhe ligje të brendshme?! Sot në PS nuk funksionon Kryesia e PS dhe çdo vendimmarrje ka ngelur në dorë të kryetarit. Caktohen kandidatë pa asnjë lloj kontributi. Si do ta fitojnë besimin e socialistëve dhe elektoratit të varfër kuksian njerëz që vijnë nga shtresa të tjera dhe s’kanë asnjë lidhje me atë që populli jeton çdo ditë?! Unë kam komunikim të vazhdueshëm me socialistët e Kukësit, i falënderoj, i mirëkuptoj dhe nuk mërzitem me ta sepse ata do të mbështesin atë që sjell lidershipi i PS, dhe unë ua kam kërkuar një gjë të tillë. Por ata duhet të vlerësohen për kontributin e tyre.
Ju keni thënë që ka pasur edhe kërcënime nga kryetari Rama ndaj anëtarësisë socialiste të Kukësit.
Po, është e vërtetë. I ka marrë personalisht në telefon dhe i ka kërcënuar se do t’i përjashtojë nga partia, se nuk do përfitojnë asgjë kur PS të vijë në pushtet. Disa të tjerë i ka thirrur nga Kukësi në Tiranë dhe i ka thënë që “Asllani ka hallin e vet, mos e mbështesni atë”. Kjo frymë ka hyrë edhe në zona të tjera të vendit, duke sjellë pasoja dhe në Grupin Parlamentar. Sot Grupi Parlamentar nuk është solidar, sepse partia po drejtohet nga një njeri. Por ka ikur koha që të identifikohet partia me një emër, dikur thoshim “Parti-Enver”, sot kjo s’mund të ndodhë. Partia identifikohet nga një grup njerëzish që marrin vendime kolegjiale.
ARISTIR LUMEZI

